Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutash, ka pritur sot në selinë e KFOR-it në Kampin “Film City” në Prishtinë, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd–Prishtinë, Peter Sorensen.
Gjatë takimit, gjeneralmajor Ulutaş theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të KFOR-it me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si dhe mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, ky dialog është thelbësor për siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitet rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve.
Nga KFOR-i u ritheksua se misioni vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë.




