Sot është përkujtuar 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë. Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë se më 15 janar u krye një nga masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve në Reçak, duke theksuar se gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë kanë ndodhur mbi 400 masakra, por Reçaku ka simbolikën e vet të veçantë.
Sipas Aliut, Masakra e Reçakut u bë pikë kthese për ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar, pasi aty ishte i pranishëm edhe një mik i Kosovës, i cili denoncoi krimin dhe e shpërndau tmerrin e makabritetin e forcave serbe në të gjithë botën. Ai tha se pikërisht nga Reçaku filluan të merren masa konkrete ndërkombëtare, që më pas çuan në Konferencën e Rambujesë dhe bombardimet e NATO-s.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Aliu shtoi se bombardimet e NATO-s për 78 ditë nga ajri, së bashku me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, djemve dhe vajzave më të mira të kombit, ia sollën Kosovës lirinë dhe më pas procesin e shtetndërtimit.
Masakra e Reçakut mbetet një plagë e hapur dhe një dëshmi e krimeve të kryera, por edhe simbol i sakrificës dhe i rrugës drejt lirisë së Kosovës.




