Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, në akademinë përkujtimore për Masakrën e Reçakut, theksoi se kjo ngjarje u quajt ashtu siç ishte, krim kundër njerëzimit.
“Reçaku çdo vit na mbledh dhe na emocionon. Na bën të ndjejmë respekt, por edhe dhimbje; na bën të përulemi, por edhe krenarë për qëndresën e lavdishme të popullit tonë. Sot shënojmë 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një nga plagët më të rënda të historisë sonë kombëtare dhe një nga dëshmitë më të forta të së vërtetës sonë: se kemi qenë të pafajshëm përballë agresorit gjenocidal, si Serbia fashiste e Sllobodan Millosheviçit”, tha ai.
“15 janari i vitit 1999 shënon një pikë ndarjeje në historinë tonë. “Në atë mëngjes të ftohtë dimri, dhuna shtetërore e Serbisë u shfaq në formën e saj më çnjerëzore”, u shpreh Aliu.
Ndër të tjera theksoi ai se Reçaku, fshat i vogël në zemër të Kosovës, u shndërrua në skenë krimi dhe simbol të sakrificës më sublime.
“Atje u vranë dhe u masakruan civilë të pafajshëm – burra, gra, pleq dhe fëmijë – vetëm sepse ishin shqiptarë dhe jetonin në tokën e tyre. Ata nuk ishin ushtarë dhe nuk përbënin ndonjë kërcënim; ishin njerëz të zakonshëm, me emra dhe familje të cilat u prenë mizorisht”, pohoi ai.
Ai gjithashtu theksoi se kjo mësymje makabre e forcave serbe tronditi ndërgjegjen e botës, dhe heshtja ndërkombëtare u thye fal guximit të ambasadorit William Walker, duke bërë që e vërteta të dilte hapur.




