Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të policisë, ka pritur në një takim zyrtar atasheun Ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë këtij takimi, atashetë amerikanë prezantuan para nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të inteligjencës të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim.
“Takimi u fokusua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit”, thuhet në njoftim.
Tutje Policia e Kosovës thotë se vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë së SHBA-së, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si shembull të shkëlqyer të partneritetit profesional dhe strategjik në shërbim të sigurisë së qytetarëve.




