Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nga dita e nesërme fillon zbatimi i ligjit për të huajt dhe ligjit për automjetet.
Bislimi tha se në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me material informues lidhur me procedurat dhe rregullat specifike që parashihen me këto ligje. Sipas tij, kjo periudhë do të zgjasë deri më 15 mars.
Ai shtoi se pas kësaj date do të fillojë zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave të parashikuara me ligjet në fjalë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës njofton se kjo periudhë e zbatimit afirmativ duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të nisur procesin e integrimit përmbajtjësor të sistemit shëndetësor dhe atij të arsimit në gjithë territorin e vendit”, ka shkruar Bislimi në Facebook.




