Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, partia ka nevojë urgjente për lidership të ri. Ai ka theksuar se procesi për zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm duhet të zhvillohet strikt sipas statutit të LDK-së, pa asnjë devijim.
Në një reagim publik në Facebook, Hoti ka bërë thirrje për unitet dhe reflektim brenda partisë, duke nënvizuar se statuti përcakton qartë procedurën që duhet ndjekur në rast dorëheqjeje të kryetarit.
“Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të Kryetarit të LDK-së, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje. Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh Kryetarin e ri të LDK-së. Kaq. Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë statutare është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së”, ka shkruar ai.
Hoti ka rikujtuar se standardi i dorëheqjes pas humbjes zgjedhore është vendosur pikërisht në vitin 2021 dhe, sipas tij, është promovuar nga vetë kryetari aktual i partisë.
“Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse”, ka theksuar ai.
Pas zgjedhjeve, në të cilat LDK-ja siguroi rreth 13 për qind të votave, Hoti ka theksuar se nevoja për ndryshim është e pamohueshme.
“Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi”, ka thënë Hoti.
Ai ka bërë të ditur se këtë qëndrim e ka shprehur edhe në takimin konsultativ të udhëheqësve të partisë, duke paralajmëruar dorëheqjen personale në rast se nuk hapet rruga për reforma.
“Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së. Të gjithë ne që kemi përgjegjësi politike para elektoratit të LDK-së kemi për obligim të sigurojmë një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe statutar të zgjedhjes së lidershipit të ri të LDK-së”, ka shkruar ai.
Në fund, Hoti ka theksuar përgjegjësinë e të gjitha strukturave të partisë për orientimin e ardhshëm të LDK-së.
“Secili nga ne, përfshirë anëtarët e Kryesisë, të Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së, kemi përgjegjësi për t’i dhënë LDK-së drejtimin e duhur”, ka theksuar Hoti.
Ndërkohë, një ditë më parë, nga posti i nënkryetares së LDK-së ka dhënë dorëheqje Hykmete Bajrami, e cila ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku. Ky i fundit ka deklaruar se dorëheqjen e ka ofruar, por se vendimi për pranimin e saj u takon delegatëve të Kuvendit të LDK-së.




