Në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka raportuar një sërë incidentesh penale dhe ngjarjesh të rënda në disa rajone të vendit, përfshirë vjedhje të rënda, posedim të paautorizuar të armëve, dhunë në familje, drogë, si dhe një aksident trafiku me fatalitet.
Në Komoran, Drenas, një aksident mes dy veturave ka rezultuar me humbjen e jetës së një mashkulli kosovar, ndërsa katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa shoferi i dyshuar, i mitur, është ndaluar në mbajtje.
Në Mazgit të Obiliqit janë arrestuar dy persona për vjedhje të rëndë, pasi kishin depërtuar me forcë në një lokal dhe kishin vjedhur rreth 200 euro.
Ndërkohë, në Prishtinë, Obiliq dhe Vushtrri janë arrestuar disa persona për posedim të paautorizuar të armëve, ku janë sekuestruar pistoleta, pushkë, karikatorë dhe dhjetëra fishekë. Disa nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Pesë të mitur janë arrestuar në Gllogoc për pjesëmarrje në rrahje, ku dy viktima të mitura kanë pranuar tretman mjekësor në QKUK. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Prizren janë raportuar dy raste të hetimit të vdekjes, ku dy persona janë gjetur pa shenja jete në rrethana të ndryshme.
Ndërsa në fshatin Gracë të Vushtrrisë, një shtëpi është përfshirë nga zjarri, ku dyshohet se ka humbur jetën një femër kosovare. Rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.
Në Viti dhe Pejë janë arrestuar persona për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike.
Raste të dhunës në familje janë raportuar në Pejë dhe Rahovec, ku të dyshuarit janë arrestuar.
Në Malishevë, katër persona janë ndaluar pasi sulmuan fizikisht dy zyrtarë policorë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor.
Në Zubin Potok, policia ka ndërhyrë në tri raste të organizimit të bixhozit të paligjshëm, duke sekuestruar pajisje elektronike dhe para të gatshme.
Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, një person është shoqëruar për shmangie nga pagesa e detyrimeve doganore.
Policia e Kosovës ka theksuar se hetimet për këto raste janë duke vazhduar dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj personave të përfshirë.




