Seanca e sotme në rastin “Banjska” shënoi vazhdimin e gjykimit pas ndryshimit të trupit gjykues. Rasti tash udhëhiqet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni, pas avancimit të kryetarit të mëparshëm të trupit gjykues në Gjykatën e Apelit.
Për shkak të këtij ndryshimi, dëshmia e planifikuar nuk u zhvillua. Nga të akuzuarit, dy nuk u deklaruan lidhur me fajësinë, ndërsa Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm për akuzat ndaj tij. Palët u pajtuan që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë nga faza e mëparshme, me qëllim të shmangies së vonesave dhe rritjes së efikasitetit të procedurës.
Në këtë seancë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve të rinj në rastin “Banjska”.
Sipas trupit gjykues, dëshmitarët e propozuar nuk do të sillnin ndryshim në vlerësimin juridik të rastit, pasi i pandehuri, sipas aktakuzës, akuzohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar.
Po ashtu, gjykata ka refuzuar propozimin për kryerjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, duke theksuar se një vlerësim i tillë mund të bëhet drejtpërdrejt nga fotografitë ekzistuese. Edhe dilema nëse arma e përdorur ishte snajper apo pushkë gjuetie u cilësua si e parëndësishme për përcaktimin e përfshirjes së të pandehurit në grupin terrorist.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni, bëri të ditur se arsyetimi i detajuar ligjor për refuzimin e këtyre propozimeve do të përfshihet në aktgjykimin përfundimtar. Ndërkohë, u konfirmua se dëgjimi I dëshmitarit Millosh Radosajlleviq, i propozuar nga mbrojtja, mbetet i miratuar.




