Tri vendime të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të marra më 31 dhjetor, kanë ndryshuar drejtimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke çuar në pezullimin e drejtorit Kushtrim Sheremeti dhe emërimin e Rrezarta Bashës si ushtruese detyre. Por, Sheremeti ka thënë se nuk është pezulluar por ka ofruar dorëheqje.
Më 31 dhjetor të vitit që sapo shkoi, MKRS nxori tri vendime që lidhen me pozitën e Drejtorit të Teatrit të Kosovës.
Komisioni Disiplinor ka pezulluar Kushtrim Sheremetin nga posti i drejtorit të Teatrit Kombëtar; pezullimi është konfirmuar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm; ndërsa Rrezarta Basha është emëruar ushtruese e detyrës së drejtorit.
Ndërkohë, në Ministrinë e Kulturës thonë se pezullimi bazohet në një sërë shkeljesh të evidentuara nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar dhe MKRS.
“Arsyet lidhen me moszbatimin e planit të punës dhe repertorit për vitin 2025, mungesën e bashkëpunimit institucional, dështimin në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale, probleme në organizimin e Festivalit “Moisiu”, si dhe mungesë të raportimit financiar për udhëtimet zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës.
Përmes një bisede që kemi zhvilluar me Kushtrim Sheremetin, ai ka thënë se ka dhënë dorëheqje për arsye personale.
Nga Ministria e Kulturës thonë se, pas njoftimit për nisjen e procedurës disiplinore për shkelje të rëndë, Sheremeti ka paralajmëruar dorëheqjen pas kthimit nga pushimi vjetor.
E për dramaturgun Arian Krasniqi, stabiliteti menaxherial i Teatrit Kombëtar është thelbësor.
Kontrata e Sheremetit skadon në shkurt, ndërsa drejtori i ri do të zgjidhet nga Këshilli Kombëtar i Arteve, rregullorja e të cilit u miratua nga Qeveria po ditën kur ndodhën pezullimi dhe dorëheqja.




