Megjithëse kampionët dukeshin të sigurt në pjesën e parë, duke krijuar epërsi prej 20 pikëve dhe duke fituar dy çerekët e parë (24:11 dhe 17:15), Vëllaznimi u rikthye në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 28:21, duke e bërë ndeshjen të tensionuar deri në fund. Në momentet vendimtare, përvoja e mysafirëve dha rezultatin e saj, duke i dhënë Trepçës fitoren.

Te Trepça, statistikat më të mira i shënuan Mustapha Amzil me 14 pikë e 7 kërcime dhe Akili Vining me 18 pikë, 5 asistime e 3 kërcime. Keneth Hasbrouck kontribuoi me 14 pikë, 5 asistime dhe 5 topa të rrëmbyer, ndërsa Batin Tuna shtoi 13 pikë e 4 kërcime.

Te vendasit, spikati Jericole Hellems me 23 pikë dhe 6 kërcime, ndërsa Ziggy Reid dhe Yor Anei realizuan respektivisht 20 dhe 13 pikë.

Me këtë fitore, Trepça ngritet në 13 fitore e 3 humbje dhe kryeson tabelën me 29 pikë, ndërsa Vëllaznimi, me 5 fitore e 11 humbje, vazhdon të përballet me sfidën për të shmangur rënien nga liga.