Presidenti kilian Gabriel Boric shpalli gjendje katastrofe në dy rajone në jug të vendit të dielën në mëngjes, pasi zjarret shkatërruese në pyje detyruan të evakuoheshin të paktën 20,000 njerëz dhe vranë të paktën 18 persona, raporton CNN .
Sipas agjencisë kombëtare pyjore të Kilit, CONAF, zjarrfikësit po luftonin me gjithsej 24 zjarre aktive në të gjithë vendin deri të dielën në mëngjes. Kushtet më të këqija ishin në rajonet Ñuble dhe Bío Bío, ku qeveria ka shpallur zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme. Rajonet ndodhen rreth 500 kilometra në jug të kryeqytetit Santiago.
“Për shkak të zjarreve serioze dhe ende aktive në pyje, kam vendosur të shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në rajonet Ñuble dhe Bío Bío. Të gjitha burimet janë në dispozicion”, tha Boric në një postim në rrjetin social X.
Zjarri deri më tani ka përfshirë pothuajse 8,500 hektarë tokë në të dy rajonet, duke rrezikuar komunitete të shumta, duke bërë që autoritetet të lëshojnë urdhra evakuimi.
Agjencia e emergjencave në Kili, Senapred, njoftoi se pothuajse 20,000 njerëz ishin evakuuar, ndërsa të paktën 250 shtëpi ishin shkatërruar plotësisht.
Autoritetet thonë se erërat e forta dhe temperaturat jashtëzakonisht të larta kanë nxitur përhapjen e shpejtë të zjarrit, duke e bërë edhe më të vështirë për zjarrfikësit ta luftojnë atë. Pjesa më e madhe e Kilit ishte nën paralajmërim për vapë, me temperatura që pritej të arrinin 38 gradë Celsius të dielën dhe të hënën, nga Santiago në rajonin Bío Bío.
Si Kili ashtu edhe Argjentina kanë përjetuar temperatura ekstreme dhe valë të nxehti që nga fillimi i vitit, dhe në fillim të këtij muaji, shpërthyen zjarre shkatërruese pyjore në Patagoninë Argjentinase.






