“Fotoreporteri i njohur, Ridvan Slivova ka bërë dorëzimin zyrtar të materialeve dokumentuese, të cilat përbëjnë dëshmi të çmuara që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e së vërtetës historike dhe drejtësisë”, thotë ky institut.

Po ashtu Shefki Mexhuani, ish-drejtor Ekzekutiv i Fondit “Vendlindja Thërret”, me vendqëndrim në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe sigurojnë ruajtjen e dëshmive të rëndësishme për gjeneratat e ardhshme.

“Në kuadër të këtij angazhimi, Gani Vila, drejtor i televizionit Albanian TV of America në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve mediatike, të cilat kontribuojnë në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në ruajtjen e informacionit historik për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera theksohet se stafi i IKKL-së zhvilloi gjithashtu një takim me gazetaren Ilire Zajmi, e cila u njoh nga afër me punën e Institutit, vizitoi arkivin dhe përgëzoi stafin për kontributin e vazhdueshëm, duke shprehur gatishmërinë për t’i dorëzuar Institutit materialet e saj dokumentare që pasqyrojnë krimet e luftës.

Po ashtu, Selatin Novosella priti stafin e IKKL-së në Shoqatën e të Burgosurve Politikë në Prishtinë, ku i dhuroi Institutit pesë libra dhe nënshkroi procesverbalin e bashkëpunimit duke shprehur vullnet dhe gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë dhe për dorëzim të dokumenteve që dëshmojnë torturat, burgosjet dhe persekutimin e shqiptarëve nga represioni serb që nga viti 1945.

Ndërkohë, Fadil Curri, publicist dhe aktivist, së bashku me Sadullah Krasniqin nga Komuna e Obiliqit, vizituan Institutin dhe dorëzuan botime librash që pasqyrojnë represionin e regjimit serb ndaj popullatës civile, duke kontribuar në dokumentimin e luftës dhe ruajtjen e kujtesës historike.

IKKL ka shprehur mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut, sepse çdo material i ruajtur është një hap më afër së vërtetës, drejtësisë dhe pasuron kujtesën kolektive.