Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë intensifikuar aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar, duke realizuar gjithsej 141 urdhëresa gjyqësore në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara.

 

Sipas Policisë, 38 nga këto urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera ligjore. Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet ligjore.

Policia ka njoftuar se aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë publike. “Gjatë së njëjtës periudhë janë sekuestruar 9 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municion përkatës”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në fushën e sigurisë në trafikun rrugor, Policia e Prishtinës ka shqiptuar 5,398 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 753 shkelje janë evidentuar nga veturat inteligjente dhe radarët mobil.