Banka qendrore e Indisë ka propozuar që vendet e BRICS të lidhin monedhat e tyre zyrtare dixhitale për të lehtësuar tregtinë ndërkufitare dhe pagesat e turizmit, thanë dy burime për Reuters. Banka Qendrore e Indisë (RBI) i ka rekomanduar qeverisë indiane që një propozim për të lidhur monedhat dixhitale të bankës qendrore (CBDC) të përfshihet në axhendën e samitit të BRICS që do të mbahet në Indi këtë vit, thanë burimet në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për këtë temë.
Banka qendrore e Indisë ka shprehur publikisht interesin e saj për të lidhur rupin dixhital me monedhat dixhitale të lëshuara nga bankat qendrore të vendeve të tjera për të përshpejtuar transaksionet ndërkufitare dhe për të forcuar përdorimin global të monedhës indiane.
Projekte pilot
Ideja e promovimit të përdorimit global të rupisë nuk është një përpjekje për “de-dollarizim”, theksuan ata. Nëse rekomandimi aktual pranohet, India mund të jetë e para që do të propozojë lidhjen e monedhave dixhitale të anëtarëve të BRICS. Në deklaratën e samitit të vitit të kaluar në Rio de Janeiro, grupi propozoi ndërveprimin e sistemeve të pagesave të anëtarëve në mënyrë që pagesat ndërkufitare të jenë më efikase.
Banka Qendrore e Afrikës së Jugut, qeveria indiane dhe bankat qendrore të Brazilit dhe Rusisë nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për koment mbi propozimin. Banka qendrore e Kinës tha se nuk kishte informacion për të ndarë me gazetarët mbi këtë temë, dhe Banka Rezervë e Afrikës së Jugut refuzoi të komentonte.
Asnjë anëtar i BRICS nuk ka prezantuar ende një monedhë dixhitale, por Rusia, India, Kina, Brazili dhe Afrika e Jugut kanë nisur projekte pilot. BRICS u themelua në vitin 2009 nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, dhe më vonë iu bashkua edhe JAR. Gjatë vitit të kaluar, vende të tilla si Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani dhe Indonezia i janë bashkuar grupit.
(Pa)stabiliteti monetar
Brazili më parë kishte sugjeruar që grupi mund të lëshonte një monedhë të përbashkët, por ideja u hoq më vonë, vëren Reuters. Interesi për monedhat dixhitale të bankave qendrore është zbehur nga një valë “stablecoin”-esh. Ato lëshohen nga kompani private dhe zakonisht mbështeten nga monedha tradicionale, kryesisht dollari, ose mallra të tilla si ari dhe argjendi.
Nga ana tjetër, India ende këmbëngul në e-rupi, duke theksuar se është më e sigurt dhe e rregulluar më rreptësisht. Valutat dixhitale të lëshuara nga bankat qendrore nuk mbartin shumë nga rreziqet që lidhen me stablecoin-et, tha në dhjetor zëvendësguvernatori i Indisë T. Rabi Sankar.
Përveç pagesave të paligjshme dhe anashkalimit të masave të kontrollit, sipas tij, stablecoin-et nxisin gjithashtu shqetësime në lidhje me stabilitetin monetar, politikën fiskale, ndërmjetësimin bankar dhe qëndrueshmërinë sistemike.




