“Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera dhe ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit”, ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Ai ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se ky rajon del të ketë parregullsitë më të mëdha.

“Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN”, ka deklaruar kreu i KQZ-së.

Radoniqi tutje ka theksuar se sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN.

“Votat e Diasporës janë numëruar në QNR e jo në QNK. Nëse ka dyshime për pasaktësi është çështje tjetër, mendoj se duhet bërë konkretisht por ato janë numëruar në QNR dhe nga to ne po i nxjerrim përfundimet dhe nga to po marrim vendime”, tha në anën tjetër anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi.

Arianit Elshani, anëtari nga PDK në KQZ, tha se duhet bërë shkarkimi i komisionit të plotë komunal në Prizren dhe për zyrtarët e KQZ-së të përfshirë në rast, e të ketë ndëshkim edhe për ta.

“Është lajm i mirë që dallimet mes partive politike kanë qenë të papërfillshme dhe një segment i këtyre zgjedhjeve, minimalisht, ka shkuar mirë. Fatkeqësisht komuna që ka çuar në ekstrem mospërputhjen e votave është Prizreni. Janë disa komuna që gjetjet janë minimale, e për fat të keq për disa komuna të tjera edhe ato duhet të shkojnë në rinumërim sepse s’kemi asnjë argument që nuk duhet”, tha Muharrem Nitaj i AAK-së.