Libri i kushtohet figurës së shquar të arsimit e sportit kosovar, Lah Nimani, profesor shumëvjeçar në Gjimnazin e Normalen e Mitrovicës, trajner i Klubit të Boksit “Prishtina”, pesë herë kampion shtetëror, pjesëmarrës në gara të ndryshme evropiane e botërore.

Libri monografi “Lah Nimani, emblemë e përjetësisë”, pasqyron jetën e Lah Nimanit që nga fëmijëria e rinia, shkollimi e puna si mësimdhënës dhe trajner i KB “Prishtina” e deri në kalimin e tij në amshim.

Libri ndahet në dhjetë kapituj:

I. Kapitulli i parë, “Të dhëna për Drenicën dhe fshatin Kostërc (Kastriot)”, ofron njohuri të përgjithshme për Drenicën si krahinë etnokulturore si dhe për fshatin Kastriot (Kostërc), vendlindjen e Lah Nimanit, historikun e këtij vendbanimi të lashtë, popullsinë, veprimtaritë, shkollimin etj.
II. Kapitulli i dytë ofron të dhëna për gjenealogjinë e familjes Nimani; për fëmijërinë dhe rininë e Lah Nimanit; për shkollimin fillor në Runik, atë të mesëm në Normalen në Prishtinë (1953-1959) dhe të lartë në Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Beogradit.
III. Në kapitullin e tretë flitet për formimin intelektual të Lah Nimanit dhe për kontributin e tij në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri në shkollën Teknike, në Gjimnaz, në Normale dhe në shkollën Ekonomike në Mitrovicë.
IV. Në kapitullin e katërt jepen të dhëna, dihet, në vija të trasha, për boksin – sport fisnik dhe luftarak; për origjinën dhe zhvillimin e tij; për kategoritë e boksit amator, për teknikat e boksit; për boksin amator e profesionist, për boksin në ish-Jugosllavi; për boksin në Shqipëri dhe për historikun e zhvillimit të boksit në Kosovë.
V. Në kapitullin e pestë pasqyrohet gjerësisht veprimtaria e Lah Nimanit si trajner i KB “Prishtina” (1973-1990), për sukseset e tij e të klubit në vend dhe jashtë, për sukseset si selektor i reprezentacionit të ish-Jugosllavisë etj.
VI. Në kapitullin e gjashtë, “Lah Nimani në mendjen e sportistëve të KB “Prishtina etj. (biografi dhe vlerësime)”, janë përfshirë biografitë e boksierëve dhe opinionet e tyre për Lah Nimanin;
VII. Në kapitullin e shtatë “Lah Nimani në sy të bashkëkohësve (Vlerësime të disa personaliteteve sportive) janë përfshirë vlerësimet (opinionet) e personaliteteve të sportit për Lah Nimanin, si: Agim Zatriqit, Riza Fazliut, Riza Binishit, Mehmet Maxhunit, Shkelzen Rizajt, Bruno Hrastinskit, Fehmi Sejdiut, Besnik Dizdarit, Elmaz Bajramit, Adnan Merovcit, Luan Krasniqit, Elvir Muriqit, Damir Shkaros, Sllobodan Kaçarit, Ace Rusevskit, Mirko Puzoviqit, Arsim Fehmiut, Agim Kasapollit, Bardhyl Nushit, Ismail Kasumit, Gani Kosumit, Blerim Vuniqit, Artan Verbnicës, Besim Hasanit, Ajet Shoshllit, Ferit Zekollit, Mentaz Alajbegut, Shaban Sejdiut, Shaban Tërstenës etj.
VIII. Në kapitullin e tetë “Lah Nimani në zemrën e kolegëve, bashkëpunëtorëve, ish-nxënësve dhe familjarëve” (Vlerësime)”, janë përfshirë opinionet e kolegëve të punës, të ish nxënësve, të disa familjarëve të Lahut etj.
IX. Në kapitullin e nëntë janë përmbledhur shkrime të ndryshme të botuara në disa gazeta, sidomos në “Rilindja”, që pasqyrojnë aktivitetin, rezultatet e KB “Prishtina” e të boksierëve tanë, janë përfshirë disa intervista, prononcime a opinione të Lah Nimanit, ku flet për veten, familjen, ish nxënësit e kolegët, për boksierët, shokët dhe miqtë.
X. Kapitulli i dhjetë me titull “Album” përmban fotografi, dokumente, shkrime të gazetave etj.

Përurimi i librit “Lah Nimani, emblemë e përjetësisë” bëhet në Prishtinë, pranë Shtëpisë së Sporteve) në Prishtinë, më 22 janar 2026, duke filluar nga ora 16,30.