A.S i dyshuar për përfshirë në kryerjen e veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave”, është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Këtë e ka konfirmuar për RTKlive, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Ju njoftoj se Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, sot më datën 20.01.2026 me autorizim të Prokurorisë së Shtetit në vazhdën e veprimeve hetimore, ka ndërmarrë masa konkrete operative duke arrestuar personin e dyshuar A.S. i cili dyshohet të jetë i përfshirë në kryerjen e veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas arrestimit, personi i dyshuar është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, tha Hashani.
Tutje ka treguar se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga personi në fjalë dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar në çfarëdo forme, qoftë materiale apo shëndetësore, që të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim me qëllim të zbardhjes të rrethanave të rastit.



