“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike”, ka shkruar Osmani.

Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova sipas saj, qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej.

“Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe në letrën dërguar presidentes Osmani, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, e ka ftuar Kosovën të bashkohet si Shtet Anëtar Themelues në Bordin Ndërkombëtar të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare që synon forcimin e paqes globale.

Në letrën e tij, presidenti Trump thekson se ftesa drejtuar presidentes Vjosa Osmani vjen në kuadër të një përpjekjeje historike për forcimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe për ndërmarrjen e një qasjeje të re dhe të guximshme ndaj zgjidhjes së konflikteve globale.

Presidenti amerikan rikujton se më 29 shtator 2025 ai shpalli Planin Gjithëpërfshirës prej 20 pikash për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, plan i cili, sipas tij, është përqafuar nga udhëheqësit kryesorë botërorë, përfshirë vendet e Botës Arabe, Izraelin dhe shtetet evropiane.

Në mbështetje të këtij plani, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi më 17 nëntor Rezolutën 2803, duke e mirëpritur dhe mbështetur këtë vizion.

Sipas presidentit Trump, në qendër të këtij procesi do të jetë Bordi i Paqes, i cili do të themelohet si një organizatë e re ndërkombëtare dhe administratë qeverisëse kalimtare. Ky bord synon të bashkojë një grup shtetesh të përkushtuara për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe për sigurimin e një të ardhmeje të begatë për brezat e ardhshëm.

Në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Paqes, presidenti Trump ka ftuar zyrtarisht Republikën e Kosovës që të bëhet pjesë e kësaj nisme si shtet themelues dhe palë në Kartën e Bordit të Paqes. Ai ka theksuar se Bordi do të jetë unik në historinë e organizatave ndërkombëtare dhe se çdo shtet anëtar do të ketë të drejtë të caktojë përfaqësuesin e tij të autorizuar.

Në përfundim të letrës, presidenti Trump shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me presidenten Osmani dhe Kosovën drejt realizimit të qëllimit të përbashkët për paqe botërore, prosperitet dhe stabilitet afatgjatë.

Kujtojmë se një ditë më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për pjesëmarrje në Bordin e Paqes, dhe përgjigja ishte pozitive, ku Rama tha se këtë kërkesë së shpejti do ta dërgojë në Kuvendin e Shqipërisë për miratim.

Në letrën drejtuar Presidentit Trump, Rama shpreh vlerësimin e thellë për angazhimin dhe udhëheqjen vizionare të tij në themelimin e Bordit dhe falënderon për ftesën e drejtpërdrejtë për të qenë pjesë e kësaj nisme si përkrahëse themeluese për Shqipërinë.