Në fshatin Restelicë të Dragashit, një burrë dyshohet se e ka vrarë nënën e tij. Sot, rreth orës 01:06, Policia bënë të ditur se është njoftuar për një rast të vdekjes së dyshimtë në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas informatave fillestare, dyshohet se një person mashkull, rreth 30 vjeç, ka privuar nga jeta nënën e tij, rreth 60 vjeçare. Burimet policore bëjnë të ditur se i dyshuari ka pasur probleme të shëndetit mendor.
Nga ekzaminimi fillestar në vendin e ngjarjes, nuk është gjetur mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra, ndërsa viktima ka pësuar disa lëndime në regjionin e kokës.
I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe ndalohet për procedura të mëtejshme ligjore.
Sektori Rajonal i Hetimeve, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmerr të gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.




