Në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTK, nga Muzeu i Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, koordinatori i muzeut, Bekim Gashi, foli për rëndësinë e këtij institucioni, i cili ruan veprimtarinë e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Gashi theksoi se sot shënohet 20-vjetori i ndarjes nga jeta i themeluesit të shtetit të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë datë si një ngjarje të veçantë për të gjithë qytetarët.
“Sot shënojmë 20-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, themeluesit të shtetit të Kosovës. Më 21 janar 2006, qytetarët i dhanë lamtumirën e fundit liderit të tyre, i cili kontribuoi jashtëzakonisht shumë që ne sot të gëzojmë pavarësinë që kemi,” u shpreh Gashi.
Ai foli edhe për objektin ku ndodhet muzeu, duke theksuar rëndësinë historike të tij:
“Ky është një objekt i vogël, por me histori shumë të pasur. Për dhjetë vjet rresht, presidenti Rugova zhvilloi veprimtarinë e tij politike në këtë hapësirë. Ky objekt ka shërbyer si qeveri, presidencë dhe kuvend, deri në vitin 1999, kur u dogj nga forcat serbe. Ishte objekti i dytë, pas Zyrës Amerikane, i cili iu vu flaka si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve të NATO-s.”
Sipas Gashit, kjo ishte zyra personale e presidentit Rugova, ku ai ka pritur figura të rëndësishme politike, diplomatë, gazetarë dhe përfaqësues të degëve të ndryshme.




