Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar se më 17 shkurt, nga ora 14:00, do të mbajë një protestë paqësore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas organizatorëve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen padrejtësisht në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vjet.
Gjatë një konference për media, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, theksuan se data 17 shkurt nuk është zgjedhur rastësisht, pasi ajo përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke e kthyer këtë protestë në një akt simbolik dhe qytetar në mbrojtje të parimit të drejtësisë.
Platforma “Liria ka Emër” vlerëson se procesi gjyqësor në Hagë, i cili ka hyrë në fazën përmbyllëse pas më shumë se pesë vitesh, ka krijuar shqetësime serioze në opinionin publik.
“Procesi në Hagë ishte krijuar për të sjellë drejtësi, por me kalimin e viteve është krijuar një perceptim i mjegullt. Procedurat e gjata dhe të zvarritura, kompleksiteti i tyre, informacionet kontradiktore, ndikimi i diskursit politik dhe ndjenja se drejtësia po humbet fokusin e saj juridik kanë shkaktuar mosbesim te qytetarët”, tha Tasholli.
Ai shtoi se qytetarët kanë pasur mundësi për vite të tëra të ndjekin dokumente që vijnë nga Serbia, ankesa për të drejtat e mbrojtjes, mungesë komunikimi të qartë me opinionin publik, dhe një diskurs ku politika shpesh flet më shumë se ligji.
”Këto zhvillime kanë krijuar bindjen se procesi nuk po përjetohet më si një procedurë thjesht juridike.Pikërisht për këto arsye, më 17 shkurt do të mbahet një protestë paqësore”, shtoi ai.
Ndërsa Eliza Hoxha tha se është e rëndësishme të theksohet se nuk protestojmë apo marshojmë kundër drejtësisë, por thjesht kërkojmë drejtësi reale.
“Protestojmë sepse nuk duam standarde të dyfishta, nuk duam procese pafund, nuk duam gjykime që duken të porositura dhe nuk duam drejtësi selektive. Kërkojmë verdikte të bazuara në prova dhe jo në agjenda”, tha ajo.




