Kamberi ka theksuar se miratimi i kësaj rezolute përfaqëson një qëndrim zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj diskriminimit sistematik të shqiptarëve në Luginë dhe një hap të rëndësishëm drejt kërkimit të përgjegjësisë ligjore dhe politike nga Serbia.

“Si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA miratoi rezolutën H.R. 6411, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Mirënjohje e veçantë për Kongresistin Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij parimor, si dhe për përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Kjo rezolutë tashmë pritet të aprovohet nga vetë Kongresi i SHBA. Përpjekje, durim, këmbëngulje dhe besim që nga viti 2001 nën përkrahjen e palëkundur të Joe dhe Shirley DioGuardi dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, deri te përkrahja e komunitetit shqiptar në Texas, veçanërisht përmes Albanians For America”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Sipas tij, një betejë e gjatë dhe e drejtë, sot e kurorëzuar me sukses. “Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Faleminderit të gjithë atyre që nuk u ndalën kurrë. Zëri ynë u dëgjua. Puna jonë dhe ndihma e Qeverisë së RKS për Luginë po shihet”, tha ai.