Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit A. S., i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale të rënda në fushën e shëndetësisë.
Në komunikatën e kësaj Gjykate thuhet se sipas aktvendimit të gjykatës, nga një periudhë e papërcaktuar kohore e deri më 20 janar 2026, në rrugën “17 Shkurti” në Gjilan, në lokalin e regjistruar si “Consulence”, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore, pa poseduar kualifikim profesional, licencë apo autorizim ligjor.
Ai dyshohet se ka kryer trajtime dhe vizita mjekësore këshilluese, duke u paraqitur kinse ofron shërime për Autizmin, përmes rekomandimit të terapive të ndryshme të paverifikuara dhe të pakonfirmuara shkencërisht, ndonëse nuk kishte njohuri apo përgatitje profesionale në këtë fushë.
Gjykata Themelore në Gjilan njofton se gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit UGJK nr. 5/2026 nga Njësia e Hetimeve Penale në Gjilan, në lokalin “Consulence” është hasur edhe një dëshmitar, i cili kishte shkuar për konsultim lidhur me trajtimin e Autizmit. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar medikamente të ndryshme mjekësore.
Me këto veprime, sipas Gjykatës, A. S. dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjithashtu i pandehuri edhe përmes komunikimit elektronik nga llogaria e tij dhe përmes telefonit, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë farmaceutike dhe rekomandimet e OBSH-së, ka kryer eksperimente mjekësore duke rekomanduar terapi farmaceutike të pa verifikuar për probleme shëndetësore konkrete, ashtu që pas vizitave të drejtpërdrejta apo edhe kontaktit përmes komunikimit elektronik tek persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë të prekur nga spektri Autik ka rekomanduar, përshkruar dhe udhëzuar marrjen e terapisë të pa verifikuar dhe të pa testuar kinse për largimin e metaleve dhe shërimin e Autizmit dhe në këmbim të këtyre shërbimeve pranon shuma të ndryshme të pagesave, i vetëdijshëm se terapitë e këshilluara nuk ishin të testuara në njerëz dhe për probleme të tilla shëndetësore e për të cilat nuk kishte njohuri bazike as për efektet anësore”, thuhet në njoftim.
Për këto veprime, A. S. dyshohet edhe për veprën penale “Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave”, nga neni 257 paragrafi 1 i KPRK-së.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se masat alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale.
Tutje thuhet se palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.




