Visar Azemi nga LDK ka reaguar për rikthimin e reduktimeve të energjisë elektrike në Kosovë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të menaxhimit skandaloz në sektorin energjetik.
Zyrëtari i LDK-së, Visar Azemi ka theskuar se Qeveria nuk ka investuar asnjë cent në kapacitete të reja prodhuese, ndërkohë që qytetarët kanë paguar mbi 1 miliard euro për importin e energjisë.
“Të shpenzosh 1 miliard euro nga paratë e qytetarëve për import të energjisë dhe të mos investosh asnjë euro në kapacitete të reja prodhuese që do t’i shërbenin gjeneratave të ardhshme, është veprim i dëmshëm dhe i papërgjegjshëm ndaj së ardhmes së Kosovës”, ka pohuar Azemi.
Sipas tij, pasojat e këtij keqmenaxhimi i vuajnë qytetarët.
“Fëmijët mbesin pa mësim, spitalet dhe institucionet shëndetësore përballen me reduktime, ndërsa administrata shtetërore bëhet jofunksionale. Në disa institucione mungon edhe ngrohja, duke krijuar kushte të rënda për punonjësit dhe qytetarët”, ka deklaruar Azemi.
Ai kritikoi mënyrën e komunikimit nga institucionet, duke e cilësuar si të papranueshme që rikthimi i reduktimeve të bëhet vetëm përmes njoftimeve në rrjetet sociale.
“Me një njoftim të thjeshtë në rrjete sociale, qytetarëve u thuhet se reduktimet po rikthehen – sikur të ishte fjala për një çështje të parëndësishme, e jo për një problem që prek drejtpërdrejt jetën, shëndetin dhe ekonominë e vendit”, ka theksuar ai.
Sipas, Azemit, ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese, përfshirë centralin me gaz, mbetet një zgjidhje konkrete për sigurinë energjetike të Kosovës.
LDK kërkon nga institucionet e drejtësisë hetime të menjëhershme për keqmenaxhimin e sektorit, si dhe auditim të pavarur dhe departizim të institucioneve energjetike.
Azemi ka kritikuar edhe emërimet partiake dhe familjare në institucionet energjetike.
“Ata që dikur thoshin se familjarët i kanë ‘vetëm për dasma’, sot pothuajse në çdo emërim që bëjnë po i shndërrojnë institucionet në strehë për emërime partiake dhe familjare. Emërimi i nipit të deputetit të Vetëvendosjes për drejtor në KOSTT flet më së miri për kapjen e institucioneve energjetike në vend”, ka shtuar Azemi.




