Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, u takua sot me anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për të diskutuar planin e punës së Doganës për vitin 2026 dhe për të fuqizuar bashkëpunimin me sektorin privat.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, vlerësoi partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet dy institucioneve dhe lavdëroi reformat e vazhdueshme të Doganës, duke e dalluar atë mes institucioneve homologe në Ballkan, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, drejtori Llugaliu njoftoi se treguesit e performancës për vitin 2025 janë më të mirë se vitet e mëparshme dhe se shërbimet doganore janë përmirësuar ndjeshëm, duke përfshirë edhe rritjen e numrit të zyrtarëve doganorë.
Ai gjithashtu përmendi avancimet infrastrukturore, si inaugurimi i skenerit të ri në Merdare, dhuratë e Shteteve të Bashkuara, dhe zgjerimi i vendkalimit doganor në Vërmicë, i cili përpunon vëllimin më të madh të shkëmbimeve tregtare.
Llugaliu gjithashtu bëri të ditur se po analizohen praktikat më të mira ndërkombëtare për zbatimin e vendimit të Qeverisë për zero tarifa për mallrat me origjinë amerikane, me mbështetjen e Programit për Zhvillimin e të Drejtës Komerciale (CLDP) të SHBA-së.
Takimi u fokusua gjithashtu tek sfidat me të cilat përballen ndërmarrjet private dhe u nënvizua rëndësia e dialogut të sinqertë publik-privat për gjetjen e zgjidhjeve brenda kornizës ligjore, theksohet në njoftim.




