Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Policia e Kosovës ka nisur veprime hetimore në Komunën e Malishevës lidhur me dyshimet për manipulim të votave gjatë procesit zgjedhor.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar publik se, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.
Sipas njoftimit , Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që në Komunën e Malishevës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Këto veprime përfshijnë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e informatave si dhe sigurimin e provave relevante, të cilat lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe se do të trajtojë çdo rast të dyshuar me seriozitet të plotë, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.




