Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur personi që ishte raportuar i zhdukur në fshatin Jezercë të Ferizajt.
Sipas njoftimit, “më 21 janar 2026, rreth orës 05:00, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar informacion për zhdukjen e personit S.P., 30 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë. Ai ishte larguar nga një vilë në fshatin Jezercë dhe për një kohë nuk dihej vendndodhja e tij”.
Policia thekson se bazuar në informatat fillestare, i njëjti dyshohej se rreth orës 05:00 kishte marrë një veturë të tipit BMW me targa shqiptare dhe ishte nisur në drejtim të Ferizajt, ku dyshohej se kishte shkaktuar edhe një aksident trafiku në zonën e Jezercës.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me Njësinë e Trafikut Rajonal, kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, përfshirë mbledhjen e informatave dhe kontrollimin e kamerave të sigurisë në bashkëpunim me Forenzikën Rajonale. Po ashtu, janë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, në QKUK në Prishtinë dhe në disa ordinanca private, por pa ndonjë raportim për persona të lënduar”, thuhet në njoftim.
Në kërkim janë angazhuar edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 e Policisë së Kosovës dhe Brigada e Zjarrfikësve, duke zhvilluar kërkime intensive në terren.
Ndërkohë, policia njofton se ‘sot rreth orës 15:30, një qytetar ka njoftuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur “Gurra e Kadisë”. Pas verifikimeve, është konstatuar se bëhej fjalë për personin e zhdukur, S.P., i cili më pas është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore’.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe qytetarët e angazhuar në këtë rast, duke veçuar qytetarin B. Osmani, 54 vjeç, nga Ferizaj, për bashkëpunimin dhe kontributin e tij në gjetjen e personit të zhdukur.
Ndërkohë, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtimi ka publikuar disa fotografi nga momenti i gjetjes së personit.
“Është gjetur i gjallë, në gjendje të rëndë shëndetësore, shtetasi i Republikës së Shqipërisë i cili ishte aksidentuar para dy ditësh në Jezerc të Ferizajit”, thuhet në njoftim.




