Kafeja është pija më e popullarizuar në nivel global dhe shumica e adhuruesve të kafesë pinë afërsisht tre filxhanë gjatë ditës, duke konsumuar një sasi të madhe kafeine. Përveç kësaj, kafeja e fortë mund të shkaktojë dridhje dhe rrahje të shpejta të zemrës. Ndonjëherë efekti është aq i theksuar sa dikush mund të mendojë se po pëson një atak në zemër.
Pse kafeja mund të shkaktojë rrahje të shpejta të zemrës?
Nëse doni të dini si ta ngadalësoni rrahjet e zemrës pas kafesë së fortë, është e dobishme të kuptoni së pari pse ato përshpejtohen. Dr. Mark A. Singer, një kardiolog në Northwell Health, thotë se kjo ndodh sepse kafeina rrit adrenalinën në trup, duke çuar në një rrahje më të shpejtë të zemrës, një rritje të lehtë të presionit të gjakut dhe një ndjenjë vigjilence, gjë që është pikërisht ajo që njerëzit presin nga kafeja.
“Kafeina është një stimulues që bllokon receptorët e adenozinës, duke çuar në një çlirim më të lartë të adrenalinës”, shton Dr. Aubrey Grant, kardiolog në MedStar Health. Ai shpjegon se kjo e bën zemrën të rrahë më shpejt dhe mund të shkaktojë ndjesinë e të dridhurave, duke deklaruar: “Disa njerëz janë më të ndjeshëm për shkak të gjenetikës, sëmundjeve ekzistuese të zemrës ose ilaçeve që marrin.”
Nuk është vetëm kafeja që mund të shkaktojë këtë reagim; Dr. Grant thotë se çdo pije me kafeinë mund të ketë të njëjtin efekt. “Pijet energjike, për shembull, shpesh përmbajnë doza shumë më të larta të kafeinës plus stimulues të tjerë, të cilët mund ta rrisin efektin dhe të jenë shumë më të rrezikshme se një filxhan kafe”, shpjegon ai.
Nje rrahje e shpejte e zemres mund të jetë e pakëndshme dhe të shkaktojë shqetësime shëndetësore. Për fat të mirë, të dy kardiologët thonë se nuk është e rrezikshme në shumicën dërrmuese të rasteve.
Megjithatë, nëse rrahjet e shpejta të zemrës shoqërohen me dhimbje në gjoks, marramendje ose të fikët, Dr. Grant këshillon që të kërkoni ndihmë të menjëhershme mjekësore. Nëse keni sëmundje të zemrës, aritmi ose faktorë të tjerë rreziku kardiovaskular dhe përjetoni një rrahje të shpejtë të zemrës pas kafesë, kjo është gjithashtu një arsye për t’u konsultuar me një mjek sa më shpejt të jetë e mundur.
Si ta qetësosh një zemër që rreh shumë?
Për të parandaluar që kafeja të shkaktojë rrahje më të shpejta të zemrës, Dr. Singer rekomandon pirjen e saj me ushqim, jo me stomak bosh. Ai gjithashtu thotë se sa më ngadalë ta pini kafenë, aq më pak të ngjarë është që zemra juaj të fillojë të rrahë më shpejt.
Po sikur të jetë tepër vonë për këtë? Të dy mjekët rekomandojnë të pini një gotë me ujë të ftohtë.
“Gëlltitja e ujit të ftohtë mund të stimulojë nervin vagus, i cili ndihmon në qetësimin e zemrës. Efekti nuk është universal, por për palpitacionet e lehta të shkaktuara nga kafeina, mund të ndihmojë në rikthimin e trupit në ekuilibër”, shpjegon Dr. Grant. Dr. Singer shton se një arsye tjetër për dobinë e ujit është se ai hollon përqendrimin e kafeinës në trup dhe zvogëlon intensitetin e tij.
Zhytja e fytyrës në ujë të ftohtë mund të ndihmojë gjithashtu, sipas Dr. Singer. Ai shpjegon se kjo aktivizon sistemin nervor parasimpatik, i cili shkakton një përgjigje relaksimi. Në këtë mënyrë, vepron në mënyrë të ngjashme me gëlltitjen e ujit të ftohtë, i cili stimulon nervin vagus dhe qetëson zemrën.Dr. Grant thotë se edhe frymëmarrja e ngadaltë dhe e thellë mund të aktivizojë sistemin nervor parasimpatik dhe të ndihmojë në ngadalësimin e rrahjeve të zemrës. Ai shton se një shtrirje e lehtë ose një shëtitje e shkurtër mund të ndihmojë në “djegien” e adrenalinës së tepërt.
Nëse vini re se rrahjet e zemrës suaj shpejtohen sa herë që pini kafe, Dr. Grant këshillon që thjesht ta shmangni atë; disa njerëz janë thjesht më të ndjeshëm ndaj kafeinës sesa të tjerët.
Edhe pse mund të jetë e pakëndshme, të dy kardiologët përsërisin se palpitacionet e zemrës të shkaktuara nga kafeja nuk janë të rrezikshme në shumicën dërrmuese të rasteve. Por nëse kjo ndjenjë nuk zhduket, keni sëmundje të zemrës, aritmi, rreziqe të tjera kardiovaskulare, ose po përjetoni dhimbje gjoksi dhe marramendje, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Dhe herën tjetër, ndoshta provoni kafe pa kafeinë.




