Në Ditën ndërkombëtare të arsimit, Bashkimi Evropian në Kosovë theksoi se me arsimin si një nga prioritetet, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, po ndihmon për të rritur qasjen në edukim në fëmijërinë e hershme.
Po punohet për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe mësimit, për të përmirësuar infrastrukturën arsimore në të gjithë Kosovën si dhe për të zbatuar strategjinë kombëtare të arsimit në Kosovë dhe agjendën e reformave të BE-së.
BE ka bërë të ditur se me 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, është partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare.
Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, në shenjë kremtimi të rolit të arsimit për paqen dhe zhvillimin.



