Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i tronditur nga episodet dhe imazhet e publikuara prej operatorëve dhe reporterëve të mediave, në mbyllje të protestës kombëtare të thirrur nga opozita politike e vendit, në mbrëmjen e sotme në bulevardin e madh të kryeqytetit
.Në sekuencat e publikuara, shfaqen reporterë dhe punonjës të mediave të perlotur dhe me vështirësi në frymëmarrje. Sipas reporterëve, kjo gjendje e rëndë e tyre është shkaktuar nga përdorimi i tymueseve lotsjellëse nga Policia e Shtetit, në përpjekjen për të shpërndarë masat e protestuesve.
Ky akt i rëndë ka ndodhur pikërisht dhe në pikat e vendosjes së punonjësve të mediave të cilët raportinin për mediat, protestën e opozitës.
UGSH denoncon këto lëndime të shkaktuara mbi reporterë dhe operatorë të mediave dhe punonjës të tjerë të mediave të pranishëm për shkak të detyrës.
U drejtohemi të gjithë kolegëve të lënduar dhe të prekur nga përdorimi i këtyre lëndëve, të denoncojnë seicilin rast dhe të dokumentojnë çdo episod apo incident, përmes publikimit të imazheve dhe autorëve, qofshin urdhërdhënës, qofshin zbatues.
UGSH kërkon reagimin e organizatave dhe monitoruesve të lirisë raportuese dhe lirive themelore ndaj këtyre episodeve të cilat janë të papranueshme dhe injorojnë demokracinë e shoqërisë dhe liritë e saj.
Policia e Shtetit, në këto shfaqje, ka kryer ndaj gazetarëve, veprime injoruese dhe ka dhunuar të drejtën e tyre, duke i shndërruar në reporterë që lotojnë për shkak të detyrës.
Ky cënim dhe lëndim në shëndetin e tyre është bërë prej mjeteve dhe duarve të pakontrolluara të individëve nën uniformë.
Ky rast duhet hetuar dhe përgjegjësit të vihen para përgjegjësisë ligjore!
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë




