Ka hyrë në fuqi ngritja e çmimit për mbeturina në Prishtinë.
Kontejnerë të stërngarkuar, e mbeturina jashtë tyre, kishte në njërën nga lagjet e Prishtinës. E një qytetar i cili erdhi të njëra nga kioskat ku bëhet pagesa, pati ankesa për shërbimet. Gjendja me mbeturina nuk dukej e mirë në një pjesë tek rruga C. Por kishte lagje që gjendja e me mbeturina ishte e mirë, e punëtorët e kompanisë Pastrimi, ishin në terren.
Por pavarësisht situatës me mbeturina, kompania që i mbledh ato, ka ngritur çmimin e pagesës.
Përmes një komunikate gjatë ditës, KRM Pastrimi ka njoftuar se çmimorja aktuale nuk është vendim i KRM “Pastrimi”, por buron nga Rregullorja për Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në dhjetor të vitit 2023. Roli i KRM “Pastrimi” në këtë proces është strikt zbatues dhe në përputhje të plotë me aktin ligjor në fuqi.
Sipas tyre, ky proces synon standardizim, transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët, si për amvisëritë ashtu edhe për bizneset. Për amvisëritë, nga KRM Pastrimi kanë njoftuar se tarifa maksimale mujore nuk tejkalon 6.20 euro, sipas çmimores së miratuar nga Kuvendi Komunal.
E drejtori i shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës tha se njoftimi ka të bëjë kryesisht me klasifikimin e bizneseve ose personave ekonomik, juridik, të cilët kategorizohen varësisht prej veprimtarisë, madhësisë së biznesit edhe mbeturinat që krijojnë.
“Bizneset të cilat edhe sot kanë shfrytëzuar kontejnerët e amvisërisë, për me i hedh mbeturinat e veta nuk do ta kenë të mundur një gjë të tillë, do të detyrohen ata që i kanë ikur klasifikimeve, do të detyrohen patjetër me hy ne kontratë me ndërmarrjen “Pastrimi”, do t’i kenë patjetër kontejnerët e vetë”, tha për RTK, Luftar Braha, drejtor i shërbimeve publike në Prishtinë
Sipas Brahës, tarifat nuk kanë ndryshuar, dhe se qytetarët rezidencial të amvisërisë janë të paprekur.



