Rama e cilësoi këtë ftesë si një ngjarje me domethënie të fortë politike dhe historike për vendin dhe falënderoi partnerin amerikan për këtë nder.

Sipas tij, ftesa u mirëprit dhe u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë me votë të fortë, duke reflektuar angazhimin e Shqipërisë për paqen dhe kontributin e saj në diplomaci ndërkombëtare.

“Kjo javë nisi me një ftesë, që tolloviti Shqipërinë mund të thuhet tani një ftesë përtej protokolleve zyrtare dhe më një domethënie shumë të fortë politike por dhe historike sipas meje për Shqipërinë. Presidenti i SHBA, Donald Trump më dërgoi këtë ftesë për t’ju bashkuar atij në Bordin e Paqes, një organizëm i ri ndërkombëtar i themeluar po prej tij dhe për të pranuar që Shqipëria të jetë një vend anëtarë themelues i këtij Bordi. Ishte një ftesë e mirëseardhur por edhe pse nuk e dyshoja që do të kishte zhurmë dhe përpjekje për të bërë tollovi nuk e mendoja që fantazitë dhe ligësia do të bashkoheshin për ti dhënë jetë disa teorive dhe përrallave që duhet të jesh vërtet rëndë që të arrish në pikat ku u arrit.  Ftesa u mirëprit, u pranuar u ratifikua edhe në formën e një projektmarrëveshje në Kuvendin e Shqipërisë dhe Shqipëria si një shtet që ka zgjedhur paqen si busullën e vet dhe që ka ditur të kontribuoj në tryeza të rëndësishme ndërkombëtare e pranoi me një PO të fortë edhe me votat e atyre që deri në momentin që votuan nuk lanë gjë pa thënë”, u shpreh Rama në podcastin e tij “Flasim”.