Tri biznese janë gjobitur secila me nga 500 euro për shkak të prishjes së qetësisë publike në Shtime.
Policia ka njoftuar se rreth orës 02:15, stacioni policor në Shtime pranuan ankesa nga banorët e qytetit lidhur me zhurmën e shkaktuar nga muzika me zë të lartë, e cila vinte nga hapësirat e disa lokaleve në rrugën “Imer Devetaku” në këtë qytet.
“Patrullat policore kanë reaguar menjëherë ndaj ankesave të qytetarëve dhe në bazë të autorizimeve ligjore, ndaj tre pronarëve të lokaleve janë ndërmarrë masa ligjore për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Në këtë rast janë shqiptuar tre (3) gjoba kundërvajtëse, secila në vlerë prej 500 euro, sipas Ligjit 03/L-142”, thotë policia.
Tutje bëhet e ditur se pronarët e këtyre lokaleve, në të cilat zhvillohej aktivitet i lojërave kompjuterike, janë obliguar që të mbyllin lokalet, ndërsa lënda do t’i përcillet inspektoratit të komunës së Shtimes për procedura të mëtejshme sipas kompetencave ligjore.




