Golden Eagle Ylli ka vazhduar serinë pozitive në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll, duke shënuar fitoren e pestë rresht. Skuadra nga Suhareka e mposhti Vëllaznimin me rezultat 90:86, në një ndeshje shumë të fortë dhe të vendosur vetëm në minutat e fundit.

 

Takimi është zhvilluar në palestrën “13 Qershori”, ku mysafirët nga Gjakova e kanë fituar pjesën e parë me rezultat 46:40.

Vëllaznimi ka qenë më i mirë në dy çerekët e parë, duke i fituar ato 22:21 dhe 24:19.

Megjithatë, gjithçka ka ndryshuar në pjesën e dytë. Çereku i tretë ka qenë vendimtar, të cilin Ylli e ka fituar bindshëm 30:15, duke përmbysur rezultatin dhe duke marrë kontrollin e ndeshjes. Edhe pse Vëllaznimi e ka fituar periudhën e fundit 25:20, kjo nuk ka mjaftuar për ta shmangur humbjen.

Kjo ka qenë humbja e dymbëdhjetë e sezonit për Vëllaznimin, i cili ka edhe pesë fitore dhe vazhdon të mbetet në fund të tabelës, së bashku me Rahovecin 029. Ndërkohë, Golden Eagle Ylli tani ka njëzet e pesë pikë, po aq sa Sigal Prishtina, me tetë fitore dhe nëntë humbje.

Më i dalluari te Ylli ka qenë Scott Bamforth, i cili ka realizuar njëzet e pesë pikë, duke shtuar edhe katër asistime dhe tri kërcime. Te Vëllaznimi është veçuar sërish Jericole Hellems me njëzet e dy pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime.

Të dyja skuadrat, Golden Eagle Ylli dhe Vëllaznimi, janë tashmë të eliminuara nga Kupa e Kosovës në basketboll.