Stuhia katastrofike që goditi Italinë jugore shkaktoi dëme të papara, më kritike në Siçili, ku një pjesë shkëmbore katër kilometra e gjatë u shemb në qytetin Niscemi. Më shumë se një mijë njerëz u evakuuan urgjentisht për shkak të një rrëshqitjeje dheu që fjalë për fjalë “mori me vete” tokën nga poshtë shtëpive të tyre.
Pamjet tronditëse ajrore tregojnë qytetin që lëkundet në mënyrë të pasigurt në buzë të një gremine, ndërsa çarje të thella presin fushat dhe infrastrukturën përreth. Pavarësisht rrëshqitjeve masive të dheut, nuk ka pasur raportime për viktima ose të lënduar.
Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni reagoi menjëherë duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme për rajonet jugore të prekura. 100 milionë euro u ndanë menjëherë për ndihmën e shpejtë dhe për të adresuar nevojat më urgjente në terren, por ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe të kushtueshëm rindërtimi. Presidenti rajonal i Siçilisë, Renato Schifani , paralajmëroi se fatura përfundimtare vetëm në ishull mund të kalojë 1.4 miliardë euro, pasi dëmet në rrugë dhe banesa janë të mëdha.
Ekspertët janë të shqetësuar për stabilitetin e terrenit në Niscemi, pasi çdo reshje e re e dendur mund të riaktivizojë rrëshqitjen e dheut dhe të rrezikojë bërthamën historike të qytetit, e cila tani është fjalë për fjalë e varur mbi një greminë.
Sardenja u godit rëndë gjithashtu. Beniamino Garau, kryebashkiak i Capoterra-s në jug të ishullit, tha se deti ishte zhvendosur rreth njëqind metra në brendësi të tokës.
Në Kalabri, qeveria rajonale tha se stuhia shkaktoi “dëme të mëdha në bizneset bujqësore, me pasoja të rënda për ekonominë rurale”.
Banorët vendas thanë se paralajmërimet e mbrojtjes civile i bindën njerëzit të qëndronin në shtëpi, gjë që parandaloi vdekjet ose lëndimet serioze.






