Në një postim në platformën X, Gërvalla tha se më 27 janar 1945 bota filloi të përballej plotësisht me tmerret e Holokaustit, gjatë të cilit miliona njerëz në mbarë Evropën u vranë sistematikisht vetëm për shkak të asaj që ishin.

Ajo përmendi historinë e të mbijetuarit të Holokaustit, Aron Krell, 99-vjeçar, i cili humbi nënën dhe tre vëllezërit e tij, ndërsa vetë mbijetoi pesë kampe përqendrimi, përfshirë Auschwitzin. Gërvalla kujtoi fjalët e fundit të vëllait të tij, Zvi: “Ju lutem, mos më harroni kurrë”, duke i cilësuar ato si një thirrje për kujtesë dhe për njerëzimin.

Ministrja theksoi se edhe Kosova e njeh dhimbjen e të qenit i shënjestruar vetëm për identitetin dhe se Holokausti na kujton se urrejtja dhe diskriminimi mund të shkatërrojnë familje dhe shoqëri të tëra, nëse nuk përballen me guxim dhe dhembshuri.

“Ne i nderojmë viktimat jo vetëm me fjalë, por duke kujtuar emrat e tyre, jetët, dhimbjen dhe humbjet e tyre. Mësimet e Holokaustit duhet të jetojnë që një errësirë e tillë të mos kthehet më kurrë”, përfundoi Gërvalla.