Një rast i rrallë është paraqitur në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Sipas njoftimit, pacientja B.Sh. (1988) është pranuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me parametra vitalë minimalë, vetëdije të çrregulluar dhe shenja të theksuara të shokut hemorragjik (humbje e madhe e gjakut).
Pas vlerësimit të menjëhershëm klinik nga stafi i Shërbimit Emergjent, si dhe pas ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, u diagnostikua një shtatzëni ektopine cornuale, një rast i rrallë (2–4% e shtatzënive jashtë mitrës), e shoqëruar me gjakderdhje masive dhe rrezik të lartë për jetën e pacientes.
“Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe të koordinuar të stafit të Shërbimit Emergjent, në bashkëpunim me ekipin kujdestar të Repartit të Kirurgjisë, Gjinekologjisë dhe Anestezionit, Transfuzionit të Gjakut, si dhe shërbimeve mbështetëse, u mor vendimi jetik për kryerjen e një laparotomie urgjente, e cila u realizua me sukses. Ndërhyrja në kohë rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
“Ky rast i reagimit të shpejtë dhe i shpëtimit të jetës përbën një shembull të shkëlqyer të përkushtimit profesional, reagimit emergjent dhe bashkëpunimit multidisiplinar, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetin e stafit për menaxhimin e rasteve më të rënda dhe më komplekse, në shërbim të jetës”, thuhet tutje në njoftim.




