Sipas njoftimit, me shumicë votash, Gjykata e shpalli kërkesën të pranueshme dhe vlerësoi se Vendimi i Kuvendit Nr.09-V-071, për zgjedhjen e deputetit Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka shkelur nenin 67 paragrafi 4 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 12 paragrafët 6 dhe 7 të Rregullores së Kuvendit. Megjithatë, duke u bazuar në parimin e sigurisë juridike, Gjykata vendosi që aktgjykimi të mos ketë efekt prapaveprues, ndërsa njëzëri refuzoi kërkesën për masë të përkohshme, thuhet nw njoftim.

Në arsyetimin e saj, Gjykata rikujtoi se seanca e 10 tetorit 2025 ishte vazhdim i seancës konstitutive të Kuvendit, e nisur më 15 prill 2025, pas aktgjykimit paraprak KO265/25. Në këtë seancë, kryetari i kuvendit ftoi shumicën e deputetëve nga komuniteti serb që të propozonin kandidatin për nënkryetar. Fillimisht u propozua deputeti Slavko Simiq, por ai nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në tri votime radhazi.

Procedura e propozimit dhe votimit u përsërit për gjithsej nëntë kandidatë të propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, por asnjëri prej tyre nuk u zgjodh. Më pas, kryetari i kuvendit kërkoi që të propozohej deputeti i fundit i pakandiduar deri në atë moment, Nenad Rashiq. Pas refuzimit të këtij propozimi nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, kryetari i kuvendit, Dimal Basha aplikoi procedurën e shortit, duke e hedhur emrin e Rashiqit në votim. Ai u zgjodh me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, çka çoi në përmbylljen e seancës konstitutive.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se çështja kyçe në këtë rast lidhet me të drejtën e propozimit për nënkryetar nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë. Sipas Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe praktikës gjyqësore, kjo e drejtë thuhet se i takon shumicës së deputetëve të atij komuniteti dhe përbën një garanci thelbësore për përfaqësim efektiv në Kryesinë e Kuvendit.

Sipas Gjykatës, mekanizmat debllokues, si votimi deri në tri herë dhe procedura e shortit, mund të përdoren vetëm në rrethana përjashtimore dhe nuk mund të shërbejnë për të anashkaluar të drejtën kushtetuese të propozimit.

Në rastin konkret, Gjykata konstatoi se shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk kishte refuzuar të propozojë kandidatë, pasi kjo e drejtë ishte shfrytëzuar duke propozuar nëntë emra.

Për rrjedhojë, Gjykata arriti në përfundimin se zgjedhja e Rashiqit nuk ka ardhur si rezultat i një propozimi nga shumica e deputetëve të komunitetit serb dhe se mekanizmat debllokues ishin përdorur në kundërshtim me qëllimin dhe frymën e kushtetutës. Megjithatë, për të ruajtur stabilitetin institucional dhe sigurinë juridike, aktgjykimi nuk prodhon pasoja prapavepruese, konsideron vendimi i GjKRK.