Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor, me qëllim të verifikimit, identifikimit dhe sekuestrimit të provave relevante, në kuadër të një hetimi të përbashkët dhe të koordinuar nga EUROPOL-i dhe Prokuroria Distriktuale e Republikës së Katanias.
“Urdhër kontrolli në Kosovë është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër krimit financiar dhe piraterisë audiovizive, që ka çuar në shpëlarje parash dhe përfitime financiare të kundërligjshme, në disa shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe Kosovën”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Gjatë hetimeve të zhvilluara ka rezultuar se në mesin e të dyshuarve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicialet P.B.
“Me urdhër të PSRK-së, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy (2) lokacione, në Prishtinë dhe në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Cenim i të drejtave të autorit’, nga neni 290 i KPRK-së dhe ‘Shpëlarja e parave’, nga neni 302 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas PSRK-së, operacioni, i zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali dhe Rumani, ka mundësuar eliminimin e një infrastrukture informatike, e cila shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes një sistemi të sofistikuar informatik – IPTV. Ndërsa, në hetim kanë bashkëpunuar edhe Kanadaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara.
Gjatë bastisjes njoftohet se është gjetur dhe sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe.
Ky operacion policor u zhvillua më 22 janar të këtij viti, ndërsa Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin në luftën kundër krimit financiar.




