Ndotja e hapësirave publike në Komunën e Obiliqit nuk do të tolerohet më. Autoritetet komunale kanë vendosur masa ndëshkuese për individët dhe bizneset që nuk kujdesen për ambientin përreth pronave të tyre.
Sipas vendimit të marrë nga Komuna e Obiliqit, çdo person fizik që ndot hapësirat publike ose zonën përpara pronës së tij, do të gjobitet me 200 euro. Ndërkaq, bizneset dhe subjektet afariste që ndotin hapësirat publike apo rreth objekteve të tyre do të përballen me gjoba deri në 1 mijë euro.
Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet nga Inspektorati Komunal. Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, tha se qëllimi kryesor i masës është ruajtja e ambientit dhe rritja e vetëdijes qytetare.
“Qëllimi është ruajtja e ambientit dhe sigurisht që dje ka qenë data e vetëdijësimit për ruajtjen e ambientit. Unë kam marrë një vendim ku 200 euro gjobiten të gjithë ata individë fizikë, do të thotë që ndotin para pronës së tyre, do të thotë që nuk e pastrojnë para pronës së tyre, dhe të gjitha ato biznese që ndotin para pronës apo rreth pronës së tyre, që me të vërtetë ka shumë raste që ne si qytetarë mirëmbajmë ambientet tona të brendshme, qoftë shtëpitë, zyrat e oborret tona, por jo hapësirat publike para nesh”, tha Halil Thaçi, kryetar i Obiliqit.
Ai shtoi se komuna ka dy ndërmarrje që merren me pastrimin, NPL “Kastrioti” dhe KRM “Pastrimi”, por sipas tij, pa bashkëpunimin e qytetarëve, pastrimi i ambientit mbetet i pamundur.
“Nëse ne si qytetarë, secili apo çdo biznes, nuk i ndihmojmë që të paktën mbeturinat tona të mos shpërndahen anembanë qytetit dhe hapësirës së komunës tonë, edhe sikur t’i bëjmë 1 mijë punëtorë në KRM “Pastrimi” apo NPL “Kastrioti”, nuk do të arrijmë dot ta pastrojmë ambientin”, theksoi Thaçi.
Thaçi tha gjithashtu se hedhja e pakujdesshme e mbeturinave ka ndikuar në përmbytjet e fundit në komunë. Sipas tij, së shpejti qytetarët do të njoftohen për lokacionin e caktuar për hedhjen e mbeturinave inerte.
Ndërkohë, qytetarët e Obiliqit e kanë vlerësuar pozitivisht këtë vendim, duke e konsideruar të nevojshëm për ruajtjen e pastërtisë publike.
“Jam i njoftuar dhe e vlerësoj shumë. Në atë vendim e kisha shtuar edhe një që çdo njeri që e lajmëron dikë që është keqbërës të shpërblehet, kurse ai që e ka bërë të dënohet”, tha qytetari Behram Berisha.
Edhe për Ahmet Bajramin vendimi është shumë i qëlluar.
E qytetari Ruxhdi Duraku tha se: “Mjaft mirë ia kanë bërë, vendim me vend. Pse me ndot ambientin, kjo për pastërti është shumë punë e mirë.”
Autoritetet komunale u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të Obiliqit që të kujdesen për hapësirat ku jetojnë dhe veprojnë. Vendimi për gjobitjen e ndotësve hyn në fuqi më 15 shkurt të këtij viti.



