Kjo është diskutuar në takimin që kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj ka pasur me drejtues të policisë në Pejë.

“Gjatë këtij takimi të udhëhequr nga Kryeprokurorja Vuçetaj, përveç diskutimeve për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me theks të veçantë u diskutua për bashkërendimet mes Prokurorisë Themelore të Pejës dhe Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve lidhur me rezultatet zgjedhore të listave të kandidatëve dhe sigurinë publike në kompetencën territoriale të këtyre dy institucioneve”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje, bëhet e ditur se do të analizohet secila provë dhe në bazë të të gjeturave do të ndërmerren veprimet e mëtutjeshme ligjore.

“Vlen të potencohet se lidhur me procesin zgjedhor, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, me datë 19 janar ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave lidhur me numërimin e votave të kandidatëve të subjekteve politike dhe jemi në pritje të përfundimit të procesit të rinumërimit dhe pasi t’i pranojmë të gjitha të gjeturat do të analizohet secila provë që do sjellët tek prokurori i shtetit nga Policia e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme ligjore”, thuhet më tej në njoftim.

Gjithashtu, bëhet e ditur se është diskutuar edhe për harmonizimin e veprimeve të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për luftimin e kriminalitetit dhe sigurisë publike të qytetarëve.

“Prokuroria Themelore në Pejë bashkë me Policinë e Kosovës mbeten të përkushtuar për sundimin e ligjit dhe ndjekjen e personave që kryejnë vepra penale”, thotë Prokuroria Themelore në Pejë.