Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës mirëpret heqjen e bllokadave nga kompanitë transportuese të vendeve të rajonit.
“Ky është një hap pozitiv drejt normalizimit të qarkullimit të mallrave dhe funksionimit të zinxhirëve të furnizimit për bizneset kosovare, pasi këto bllokada shkaktuan vonesa të konsiderueshme në import dhe eksport, rritje të kostove operative për kompanitë, si dhe pasiguri për sektorë të tërë ekonomikë në vend”, thuhet në reagimin e kësaj ode.
Sipas reagimit, shumë biznese janë detyruar të shtyjnë eksportet drejt vendeve të ndryshme evropiane, ndërsa vazhdimi i kësaj bllokade do të shkaktonte mungesë të produkteve dhe rritje të çmimeve në Kosovë.
Me këtë rast, DHTIK thekson se është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me ato të rajonit dhe Bashkimin Evropian, të angazhohen për zgjidhje afatgjata, të cilat do të parandalonin përsëritjen e situatave të ngjashme në të ardhmen.
“Dhoma do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet dhe të bashkëpunojë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen e interesave të komunitetit të biznesit në Kosovë”, thuhet në fund të reagimit.




