Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me një delegacion të lartë të PK-së, ka realizuar vizitën e parë zyrtare të Policisë së Kosovës në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni kosovar ka qëndruar në Portin e Hyrjes Laredo, ku ka vëzhguar nga afër operacionet e sigurisë kufitare në kohë reale, në bashkëpunim me Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të SHBA-së (CBP) dhe zyrtarë të Patrullës Kufitare amerikane.
Në njoftimin për media thuhet se kjo vizitë shënon një moment historik për Policinë e Kosovës.
“Kjo vizitë historike shënoi herën e parë që zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë vëzhguar drejtpërdrejt procedurat operative në pikat e kalimit kufitar SHBA–Meksikë”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, delegacioni u njoh nga afër me praktikat e avancuara të menaxhimit kufitar, përfshirë përdorimin e teknologjive moderne, qasjet e bazuara në vlerësimin e rrezikut dhe koordinimin ndërinstitucional në një nga pikat më të ngarkuara të hyrjes në Shtetet e Bashkuara.
“Delegacioni shprehu vlerësim të lartë për praktikat e sofistikuara të CBP-së dhe Patrullës Kufitare, si dhe për mënyrën se si teknologjia moderne përdoret për të rritur sigurinë, duke njëkohësisht lehtësuar tregtinë dhe udhëtimin e ligjshëm”, theksohet më tej.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës ndoqën procedurat e inspektimit, metodat e kontrollit inteligjent dhe integrimin e sistemeve teknologjike në funksion të sigurisë kufitare. Këto përvoja u vlerësuan si mësime të rëndësishme që mund të përshtaten edhe në Kosovë.
“Njohuritë dhe përvojat e fituara do të kontribuojnë drejtpërdrejt në planifikimin e ardhshëm dhe në iniciativat për ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Vizita është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, përmes programit DOJ-ICITAP, ndërsa Policia e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin për bashkëpunim të vazhdueshëm me SHBA-në.
“Kjo vizitë nënvizon partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe përkushtimin e përbashkët ndaj sigurisë kufitare, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, përfundon njoftimi.




