TIRANË, 31 janar /ATSH/ Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë së Shtetit (DPPSh) ka finalizuar operacionin e koduar “Brand 3”, duke goditur një rast të kontrabandës së veshjeve dhe shmangies së detyrimeve tatimore.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, mbi bazën e informacioneve të siguruara për kontrabandë mallrash dhe shitjen e tyre në informalitet, u identifikuan 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe më pas i tregtonin duke shmangur detyrimet tatimore.
Gjatë operacionit, këta shtetas u kapën në flagrancë teksa transportonin me dy automjete 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara. Mallrat dhe dy automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sipas njoftimit të policisë, në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan shtetasit Sofokli Bushi, 69 vjeç, Bilbil Llangozi 72 vjeç dhe Ali Bushati 57 vjeç. Ndërsa nisi procedimi penal për shtetasit R. Ll., 45 vjeç, I. B., 39 vjeç, E. B., 23 vjeç dhe Z. M., 65 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.




