Policia ka njoftuar se në Prishtinë ka ndodhur një incident me armë zjarri mes dy grupeve, ku më pas një person ka goditur me veturë disa persona. Rasti është cilësuar si vrasje në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Në raportin e 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka njoftuar se më 31.01.2026, rreth orës 15:20, në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë ka ndodhur një incident me armë zjarri ndërmjet dy grupeve, ku janë përfshirë katër persona të dyshuar meshkuj kosovar.
Sipas policisë, pas incidentit, njëri nga të dyshuarit ka goditur me veturë një të dyshuar tjetër dhe dy persona të tjerë, dëshmitarë meshkuj kosovar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja, një fishek dhe një predhë, ndërsa është arrestuar një i dyshuar.
Të lënduarit, një i dyshuar dhe dy dëshmitarë, janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor. I dyshuari është hospitalizuar, ndërsa dëshmitarët, pas pranimit të tretmanit mjekësor, janë liruar.
I arrestuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.




