Policia e Shqipërisë ka finalizuar operacionin “Lockdown”, duke goditur një grup kriminal që trafikonin armë zjarri nga Kosova në Tiranë. Armët më pas modifikoheshin dhe shiteshin në kryeqytet, ndërsa gjatë operacionit u arrestuan 4 persona dhe u sekuestruan armë, municion dhe pajisje të tjera të përdorura në aktivitetin kriminal.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njofton se ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lockdown”, pas një hetimi 2-mujor me metoda proaktive, nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Prokurorinë.
Operacioni goditi një grup kriminal që shiste armë zjarri në Tiranë, të trafikuara kryesisht nga Kosova. Janë vënë në pranga 4 shtetas: G. N., 39 vjeç, R. R., 48 vjeç, K. C., 49 vjeç dhe A. C., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ambientit të përshtatur në Selitë, ku montoheshin dhe magazinoheshin armët, shërbimet e Policisë sekuestruan:
8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë)
Pjesë të ndryshme armësh
Një armë gjahu
Krehra dhe municion luftarak
3 radio si ato të policisë
Një jelek multifunksional
9 celularë
Hetimet zbuluan se grupi siguronte armët nga Kosova, i sillte në Tiranë, ku më pas i modifikonte dhe i magazinonte për shitje.
Specialistët e Komisariatit Nr. 3, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, punojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




