Shefja e Misionit të Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri, priti sot në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael një delegacion profesionistësh dhe ekspertësh nga Kosova, në kuadër të programit “Edukimi për Reziliencë Klimatike dhe Qëndrueshmëri Mjedisore”.
Demiri përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se gjatë takimit u theksua rëndësia e këtij programi si një shembull domethënës i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Izraelit në adresimin e sfidave të përbashkëta globale, veçanërisht ndryshimeve klimatike, përmes edukimit, inovacionit dhe shkëmbimit të njohurive dhe ekspertizës profesionale.
“Kjo nismë e rëndësishme është mbështetur nga MASHAV dhe Ministria e Bashkëpunimit Rajonal e Izraelit, në kuadër të angazhimit të tyre të vazhdueshëm për promovimin e arsimit, shkëmbimit të njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës.
Një rol të veçantë në zbatimin e suksesshëm të këtij projekti ka luajtur udhëheqja dhe përkushtimi profesional i z. Agim Mazreku, i cili u vlerësua për kontributin e tij në realizimin e kësaj iniciative me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballjen me sfidat klimatike”, ka shkruar ajo në Facebook.




