Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka siguruar një vend në gjysmëfinale të Paris Grand Slam 2026.
Distria ka qenë e lirë në xhiron e parë, ndërsa në xhiron e dytë e ka nisur me fitore ndaj francezes Alicia Marques.
Në çerekfinale, kampionia kosovare ka triumfuar me Wazaari kundër brazilianes Larissa Pimenta. Në gjysmëfinale, ajo do të përballet me xhudisten vendase Amandine Buchard.
Ndërkohë, Akil Gjakova e ka përfunduar garën në Paris Grand Slam pas humbjes në luftën e dytë. Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova është ndalur nga italiani Manuel Lombardo, duke humbur me tri dënime. Pas kësaj ndeshje, ka reaguar ashpër kryetrajneri i Kosovës, Driton Kuka, i cili i ka cilësuar të padrejta dënimin e dytë dhe të tretë të dhëna nga gjyqtarët.
Pozitiv ka qenë paraqitja edhe e Fatjona Kasapit, e cila po debuton në Paris Grand Slam në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo ka fituar në xhiron e parë me Yuko ndaj francezes Blandine Pont, ndërsa në xhiron e dytë e ka mposhtur hungarezen Roza Gyertyas. Në çerekfinale, Fatjona është mposhtur me Wazaari nga gjermania Mascha Ballhaus, por vazhdon garën në repasazh, ku do të përballet me Seyun Yang nga Koreja e Jugut.
Fat nuk ka pasur Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë. Ajo është përballur në xhiron e dytë me izraeliten Gili Sharir, në një duel që ka përfunduar pa fituese në kohën e rregullt. Në minutën e dhjetë të kohës shtesë, gjyqtarët kanë ndarë dënime për pasivitet për të dy xhudistet, duke i suspenduar të dyja dhe duke mos lejuar asnjërën të avancojë më tej. Laura është vlerësuar si pretendente për medalje.
Paris Grand Slam 2026, që po mbahet më 7 dhe 8 shkurt, është njëra nga garat më të mëdha të vitit në xhudo, me 499 garues nga 80 shtete dhe 6 kontinente, e ndjekur nga mijëra shikues.



