Ministria e Bujqësisë ka ngritur alarmin se disa operatorë ekonomikë, të cilët dyshohet se kanë importuar pesticide duke i paraqitur si biocide, përfshirë edhe substanca të ndaluara nga direktivat ndërkombëtare.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Imri Demelezi, në Lajmet Qendrore në RTK deklaroi se ky keqpërdorim është bërë përmes shfrytëzimit të boshllëqeve dhe mungesës së koordinimit në kohë në procesin e regjistrimit.
“Disa operatorë kanë keqpërdorur sistemin e regjistrimit duke importuar pesticide si biocide. Qëllimi ynë kryesor është garantimi i sigurisë për fermerët dhe qytetarët, si dhe përputhja e plotë me standardet ndërkombëtare”, tha Demelezi.
Sipas tij, menjëherë pas marrjes së informatave, Ministria e Bujqësisë është koordinuar me Ministrinë e Ambientit dhe Ministrinë e Tregtisë, duke nisur inspektime në terren, me qëllim parandalimin e shpërndarjes së këtyre produkteve në sektorin bujqësor.
Ai tha se lëndët janë nënshtruar auditimit, ndërsa Ministria e Ambientit ka pezulluar lejet dhe ka nisur verifikimin e procedurave se si këto pesticide kanë arritur të regjistrohen dhe të tregtohen si biocide.
Po ashtu tha se Kosova nuk ka luksin të rrezikojë reputacionin e prodhimeve të veta dhe se nuk do të ketë asnjë tolerancë për shkelje dhe keqpërdorime.
Ministri siguroi qytetarët se ushqimi vendor në Kosovë është i sigurt, duke theksuar se kushtet klimatike dhe vetëdija e fermerëve bëjnë që përdorimi i pesticideve të jetë më i ulët krahasuar me shumë vende të tjera.
“Prodhimet tona vendore janë cilësore dhe të sigurta dhe andaj ne si Qeveri do të vazhdojmë të investojmë në certifikim, dhe ngritjen e reputacionit të produkteve bujqësore të Kosovës”, përfundoi Demelezi.




