Ne e dinim se çfarë do të thotë të ishe pakicë, prandaj nuk kemi frikë nga serbët e Kosovës, por nuk do të lejojmë kurrë që regjimi serb, përmes Rusisë, përmes trupave të Vagnerit, të sulmojë Kosovën”. Kështu ka deklaruar deputeti nga radhët e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në fjalimin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku të drejtë fjale patën edhe përfaqësuesit nga Kosova.
Tahiri, ka thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj vlerave dhe standardeve të Këshillit të Evropës dhe se pret që bëhet anëtarja e 47-të e saj. “Ne i përkasim Evropës, ne jemi evropianë dhe do të jemi gjithmonë me ju”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka thënë se Republika e Kosovës qëndron fuqishëm dhe është plotësisht e përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve të Këshillit të Evropës.
“Ne kemi përfshirë, edhe pse nuk jemi anëtar, të gjitha parimet e të drejtave të njeriut të Këshillit në Kushtetutën dhe legjislacionin tonë. Dhe, ne presim të bëhemi anëtari i 47-të i Këshillit, ashtu që qytetarët tanë të kenë qasje në Gjykatën e Strasburgut. Si shtet, në dhjetë vitet e fundit kemi qenë të përkushtuar për dialog, kemi qenë të drejtë dhe të sinqertë, edhe pse kemi pasur një luftë të tmerrshme”,ka deklaruar Tahiri.
Qeveria e Kosovës, përfshirë këtu edhe partitë opozitare, sipas tij, mbështesim plotësisht procesin e dialogut.
“Mbështesim plotësisht normalizimin dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare, e cila do të jetë ligjërisht e detyrueshme, dhe e cila do t’u mundësojë Kosovës dhe Serbisë anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Tahiri ka folur në Asamble edhe për vendimin ligjor që ka marrë Qeveria e Kosovës për anulimin dhe ndalimin e lëshimit të targave ilegale, të cilat siç tha deputeti opozitar, janë targa të Kosovës të lëshuara në Serbi.
“Veprimet e mëvonshme janë planifikuar nga regjimi në Serbi. Barrikadat, sulmet kundër Policisë së Kosovës, sulmet kundër misionit paqeruajtës të NATO-së, personelit, dhe më pas sulmet kundër EULEX-it. Ajo që ne donim është të rikthejmë sundimin e ligjit në Kosovë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai bëri një pyetje të thjeshtë për anëtarët e Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Pse duhen këto tensione? Pse duhen këto tensione vetëm 40 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës? Ne e dimë shumë mirë, sepse kemi pasur një luftë vërtet të tmerrshme. Falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të NATO-së jemi të lirë. Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës Bashkimit Evropian dhe të gjithë ata që ishin përkrahës”, ka thënë Tahiri.